Edukimi i femijeve me aftesi te vecanta

Deri jo shumë kohë më parë  edukimi i fëmijëve me nevoja të veçanta ka qënë konsideruar si një çështje e veçantë e të ndarë nga edukimi i fëmijëve të tjerë. Por vitet e fundit ka pasur një ndryshim shumë të madh, duke ndryshuar filozofinë e edukimit dhe politikat arsimore duke theksuar me forcë gjithëpërfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në edukimin e përgjithshëm. Studiuesit dhe ata që merren me këtë problem po mundohen të largohen nga filozofia mbizotëruese, si ajo e izolimit, e veçimit dhe e ndarjes të këtyre
nxënësve nga pjesa tjetër e nxënësve.  Tendenca sot është kalimi nga veçimi, izolimi apo ndarja drejt integrimit dhe më tej drejt arsimit gjithëpërfshirës. Kjo natyrisht kërkon ndryshime në legjislacion dhe në politikat arsimore, por gjithmonë duke i studjuar me kujdes problemet dhe ndryshimet që duhet të
ndërmerren.Fillimisht le të sqarojmë kuptimin e termave ‘integrim’ dhe ‘gjithëpërfshirje’.
Sipas Fjalorit të Psikologjisë (Reber, 2001), me termin ‘integrim’ të fëmijëve me nevoja të veçanta në klasë do të kuptojmë përfshirjen, e tyre në klasa të zakonshme, pavarësisht karakteristikave të tyre të veçanta, duke u fokusuar më shumë në integrimin e tyre social, që ata të pranohen si pjesë e grupit (klasës) ku janë futur. Integrimi social ka të bëjë më shumë me përfshirjen e këtyre fëmijëve me fëmijët e tjerë jashtë klasës, gjatë pushimeve ndërmjet orëve të mësimit, kur hanë ushqim apo kur organizohen aktivitete të
ndryshme ekstrakurrikulare.Ndërsa me termin ‘gjithëpërfshirja’ jo thjesht nxënësi me nevoja të veçanta ta ndjejë veten pjesë të grupit fizikisht por të marrë pjesë aktive në aktivitetet që zhvillon klasa, të marrë e të japë dhe të jetë pjesë integrale e grupit apo klasës ku bën pjesë. Ata marrin pjesë në çdo aktivitet, ndryshimi i vetëm është, sidomos në Amerikë, që këto klasa përveçse mesuesit të zakonshëm kanë dhe një mësues të dytë të edukimit special dhe të dy mësuesit bashkëpunojnë në mësim. Studimet në këtë fushë i sqarojnë akoma
më mirë këto terma.Këto dy terma ende ngatërrohen në praktikën e përditshme. Masat që merren për t’i përfshirë nxënësit me aftësi të veçanta në klasa të zakonshme, nuk bëjnë gjë tjetër veçse integrimin e këtyre nxënësve në këto klasa, dhe jo gjithëpërfshirjen e tyre.Ka patur edhe tentativa të ndryshme për një integrim të pjesshëm të nxënësve me aftësi të veçanta, duke i vënë ata në klasa të veçanta në një shkollë të zakonshme, pra mësimin e bëjnë veç por në aktivitetet e tjera marrin pjesë së bashku me nxënësit e tjerë. Po edhe sikur integrimi të jetë i plotë, pra nxënësit me nevoja të veçanta të sistemohen në klasa të zakonshme nuk kemi të bëjmë me gjithëpërfshirjen e tyre, mbasi gjithëpërfshirja kërkon që fëmija me vështirësi për të mësuar, pra fëmija me nevoja të veçanta duhet t’i përshtasë aftësitë e tij për të mësuar me kurrikulën e hartuar për të gjithë nxënësit dhe jo e kundërta.
Integrimi social është një hap para drejt arsimit gjithëpërfshirës, por jemi ende larg nga gjithpërfshirja e këtyre nxënësve në edukimin e zakonshëm e të përgjithshëm.

Arsimimi, sfidë për fëmijët me nevoja të veçanta

Kërkesat e prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta për t’i regjistruar fëmijët e tyre në shkolla të rregullta, po rritet çdo ditë e më shumë. Por, mundësia për ta, vazhdon të mbetet e vogël. Shkolla fillore “Ismajl Qemajli”, në Prishtinë, mbetet e vetmja si shkollë gjithëpërfshirëse.

Violeta është nënë e vajzës 7-vjeçare, e cila është e prekur me autizëm. Ajo thotë se pavarësisht përpjekjeve për ta futur vajzën e saj në shkollën më të afërt të lagjes ku ajo jeton, këtë mundësi nuk e ka pasur.http://www.telegrafi.com/fo/kosove/f.0901211632161_m.gif

“Prindërit po hasin në vështirësi për regjistrimin e fëmijëve të tyre, për shkak se nuk po i pranojnë në shkollën më të afërt të lagjes. Të gjithë prindërve u duhet t’i dërgojnë fëmijët në shkollën ‘Ismajl Qemajli’, pa marrë parasysh se në cilën lagje jetojnë. Mendoj se është një barrë për familjen”, thotë Violeta.

Por, prindërit po ballafaqohen edhe me vështirësi tjera. Sipas zonjës Violeta, asaj i duhet vetë të sigurojë asistenten, në mënyrë që të ndihmojë mësuesen dhe të merret me fëmijën e saj me autizëm, meqë, sipas saj, mësuesja në klasë është e ngarkuar edhe me një numër të madh të fëmijëve që vijojnë mësimin.

“Në shkollën ‘Ismail Qemajli’ janë 5 fëmijë me autizëm, por vështirësitë janë sepse asistenten duhet siguruar vetë familja. Edhe pse me ligj parashihet që duhet të sigurohet, ata arsyetohen se buxheti i vogël nuk lejon një gjë të tillë. Andaj, sërish barra bie mbi familjarët dhe ne vetë duhet të paguajmë asistenten që të merret me fëmijët tonë”, tregon Violeta.

Ndërkaq, Vedat Bajrami, zyrtar në Ministrinë e Arsimit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me gjithë kërkesat e mëdha, mundësitë për inkuadrim të fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta, janë të vogla.

“Sa u përket fëmijëve me nevoja të veçanta, ka kërkesa shumë të mëdha , meqë është bërë një vetëdijesim përmes mediave, kampanjave të ndryshme, dhe prindërit janë të njoftuar që në baza ligjore është e rregulluar që fëmijët me nevojat të veçanta të shkojnë në shkolla të rregullta. Por, jo të gjithë fëmijët mund të shkojnë, për shkak se jo gjitha shkollat e kanë infrastrukturën e duhur dhe mësimdhënësit nuk e kanë nivelin e edukimit në atë aspekt profesional për fëmijët me nevoja të veçanta”, thotë Bajrami.

Leonora Shabani, ka vajzën e prekur me sindromën Daun. Leonora, që njëherësh udhëheqë organizatën “Down Sindrom Kosova”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kërkesat për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta janë mjaft të mëdha.

“Kërkesa për t’i përfshirë fëmijët me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta, ka mjaft. Por, askujt nuk i konvenon që nga secila lagje të dërgojë fëmijën vetëm në një shkollë, në klasë të bashkangjitur. Secili fëmijë sipas planit strategjik që e kemi hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ka të drejtë të vijojë mësimin në shkollën më të afërt”, thotë Shabani.

Por, sipas zonjës Shabani, përmes organizatës që ajo udhëheq, kanë arritur që disa fëmijë t’i regjistrojnë edhe në shkolla tjera, përveç asaj “Ismail Qemajli”:

“Ne sot kemi regjistruar një fëmijë në shkollën ‘Dardania’ , në mënyrë zyrtare, një vajzë që është e prekur me sindromën Down. Përmes organizatës i ndihmojmë prindërit, nëse vendos ta dërgojë fëmijën në shkollën më të afërt, t’ia mundësojmë këtë”.

Sipas Vedat Bajramit, Kosova ka nevojë për më shumë mësimdhënës të trajnuar, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm të punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta, në të gjitha shkollat e Kosovës.