Fëmijët dhe media


Nuk do të ishte keq dhe jo thjesht për “ekzibicion profesional” që temën e madhe të fëmijëve të mund ta shohim në një “këndshikim tjetër”, ndryshe nga klishetë e njohura e të stërpërdorura të shkrimeve për 1 Qershorin e saposhkuar, ditën në të cilën shteti, shoqëria civile, familja dhe media e përqendrojnë vëmendjen e posaçme mbi ta. Jo sipas skemës tradicionale të detyrimeve që kanë natyrshëm të gjithë aktorët për “mbrojtjen dhe zhvillimin”, por nga këndshikimi i pasqyrimit dhe interpretimit mediatik të temës së fëmijëve, veçanërisht të atyre që për shkaqe të ndryshme janë me “nevoja të veçanta” dhe që kanë nevojë për mbështetjen komplementare, të dobishme edhe të medias profesioniste.

Gjithnjë më ka shqetësuar ky këndshikim, si një raport delikat i interferimit të problematikës së minorëve me interpretimin mediatik. Padyshim, në shumicën e rasteve, kjo ndërthurje ka qenë me impakt pozitiv, sidomos për sensibilizimin e strukturave sociale të shtetit, duke ndikuar indirekt në intensifikimin e politikave sociale dinamike të shtetit. Por nga ana tjetër, nuk mund të mos them po kaq hapur, se indikacionet mediatike, në jo pak raste për mungesë profesionalizmi kanë qenë negative. Mund të mos pëlqehet konstatimi i veprimit “dikotomik” të medias, madje mund të duket ca i ekzagjeruar pohimi, se në jo pak raste kanë sjellë dëme evidente interpretimi joprofesional e dogmatik i “botës së fëmijëve në nevojë”.

Për shkak të punës relativisht të gjatë në strukturat sociale shtetërore dhe veçanërisht me fëmijët jetimë, të braktisur apo në nevojë, na ka ndodhur shpesh, që më shumë jemi përballur me “vështirësitë tona” për zgjidhjen e problemit të fëmijëve jetimë. Por nuk kanë qenë të rralla, rastet kur kemi qenë të detyruar të përballemi me raste të interpretimeve të deformuara mediatike, për shkak të mungesës së njohurive specifike, të profesionalizmit të gazetarëve socialë. Nuk është normale që si rezultat i entuziazmit që kanë natyrshëm disa gazetarë të rinj, të cilët nën presionin e “ambicies profesionale”, të sigurimit të një vendi pune në gazetë apo televizion, kanë “sajuar lajm” me fëmijët, duke u nisur nga sensibiliteti i natyrshëm, tejet i veçantë i shtetit dhe shoqërisë. Në të vërtetë, kudo në botë, media është aleate dhe mbrojtëse e shtresave në nevojë, sidomos e fëmijëve. Pushteti i medias në jo pak raste ka qenë determinant, në zbulimin e gabimeve, fajeve, pse jo edhe të krimeve që kryen ndaj fëmijëve. Do të ishin të shumta rastet që do të sillja, për të vërtetuar këtë fakt, i cili tashmë është publik. Gazetat dhe kanalet e televizionit në Shqipëri, kanë qenë dhe janë kthyer vërtetë në “artileri për mbrojtjen” e të drejtave të fëmijëve, nga çdo shkelje e cenim i personalitetit të tyre në familje, ambiente publike e institucione sociale. femij-kpmpjuter-620x310

Mirëpo, duket se disa media, në pasqyrimin e tematikës së “ngatërruar” të fëmijëve, janë të mundshme dhe shfaqen “paradokse”. Kjo do të thotë se shpesh në përpjekje për t’i bërë mirë fëmijëve, për të pasqyruar nevojat dhe rreziqet që u kanosen atyre, krijohen situata sociale artificiale që kanë impakt negativ, mbi fëmijët dhe opinionin publik. Ka shumë raste kur, kjo tip media, në përpjekje për të “gjetur fakte” dhe për të bërë “lajm” për fëmijët, bën të kundërtën. Përgjithësisht këto qëndrime vijnë nga mënyra e përdorimit të forcës dhe të aftësisë ndikuese dhe perceptive të medias në shoqëri. Shtypi dhe televizioni në shumë raste, në emisionet që trajtojnë tema që kanë të bëjnë me problematikat fëminore, siç janë krimi, droga, alkooli e prostitucioni minoren, në përpjekjen e tyre për të njohur e sensibilizuar opinionin dhe familjen, bëjnë efekt të kundërt. Ka ditë kur edicionet hapen me lajme tronditëse nga bota e fëmijëve, me pasqyrime deri në detaje perverse se çfarë bëri ky apo ai, si u përdhunua, u keqtrajtua, si fëmijët shpërndajnë drogën, si bëjnë punë të këqija, si qëndrojnë në rrugë, si ushtrohet mbi ta dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale, etj., etj. Natyrisht, detyra e medias është të pasqyrojë realitetin dhe si “pushtet i katërt” me forcën e tij të ndikojë mbi shtetin, shoqërinë civile dhe komunitetin.

Por mungesa e sensit të masës tek disa nga mediat tona, mos vlerësimi i specifikës së ndikimit të lajmit, faktit, ngjarjes mbi psikologjinë e fëmijës, përbën një “handikap” serioz dhe një borxh të madh, ndaj fëmijëve. Sipas mendimit tim, media dhe relacionet e saj me fëmijët do të përmirësohen, në se do të punohet më shumë për të përgatitur gazetarë profesionistë dhe menaxherë për programacione për fëmijë.

Kjo kërkon që, më së pari, të përgatiten “gazetarë socialë”, si profesionistë dhe njohës të problematikës dhe specifikave të “botës së fëmijëve”, të aftësimit të tyre për të intervenuar jo “kuturu” dhe pa takt, në këtë botë të brishtë dhe delikate, por me njohuri paraprake dhe aftësi për të llogaritur efektet dhe kundër-efektet që lajmi, emisioni televiziv do të ketë mbi fëmijët. Një pjesë e të këqijave vijnë nga tendenca e “merkantilizimit” të medias së shkruar dhe elektronike, të cilat të futura në garën e konkurrencës dhe të mbijetesës, nuk kanë më fare parasysh se çfarë ndikimesh sociale kanë ato tek fëmijët e vegjël. Në këtë kontekst do të ishte i dobishëm që shteti, shoqëria civile dhe organet e licencimit mediatik, të këmbëngulin më fort për të korrigjuar shënjestrën e gabuar të ndikimeve “anti-fëmijë”, që shfaqen në faqet e gazetave dhe të ekraneve tona. yued5t

Në kushtet e “shoqërisë së hapur” është e vështirë të vendosësh censurë apo kontroll mbi informacionin, që jepet përmes botimeve dhe televizionit. Natyrisht, në to ka shumë artikuj në shtyp apo emisione dhe materiale edukative, që kanë ndikim pozitiv mbi personalitetin e fëmijëve, formimin e tyre shpirtëror dhe intelektual. Emisionet me natyrë moshore, botimet në gazeta e revista të shkrimeve nga bota e fëmijëve dhe problematikat e edukimit të adoleshentëve, janë të pranishme masivisht. Por, që të jemi të sinqertë, media e ka ende të kufizuar ndikimin pozitiv mbi fëmijët, sepse përmes “rotativave të shtypit” dhe “ekraneve të televizionit”, qarkullon një sasi e jashtëzakonshme shkrimesh dhe emisionesh jo edukative, të cilët kanë ndikim deformues në personalitetin e fëmijës, duke ndikuar në krijimin e tipareve të një njeriu me vese, neurotik, asocial. Është dukuri dhe shqetësim botëror, që tashmë ndihet në shoqërinë shqiptare.

Fëmijët janë duke u “bombarduar” me ide, mendime, filma e shkrime që më shumë se edukojnë fëmijët me ndjenja pozitive sociale, të humanizmit, solidaritetit, sedrës së shëndoshë, vetëpërmbajtjes seksuale, respektimit të të moshuarve, respektimin e femrës, dhënien pas objektivave dhe synimeve të shëndosha për jetën, bëjnë të kundërtën. Fëmijët po ndeshen me një “valë presioni’ që kultivon tek ata “antivlera”. Fëmijët janë “non stop” nën ndikimin e filmave me dhunë, seks, krim, mashtrim, vjedhje, degradim moral. Në moshën më delikate të formimit, e kanë të vështirë qoftë edhe nën monitorimin e prindërve dhe mësuesve, të gjejnë emisione edukative, formuese. Madje në këtë rrugë duket se përballë fuqisë së medias, ka rënë forca e shkollës, roli i mësuesit dhe puna edukative e familjes. Në këtë kontekst duhet njohur ndikimi i medias mbi fëmijët, si dhe kërkesa për një proces selektimi të materialeve që fëmijët kanë mundësi të ndjekin përmes shtypit apo televizionit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s